|
Dangëllia që dikur përfshinte 48 fshatra, ka si qendër fshatin malor Frashër të rrethit të Përmetit, 750 m. mbi nivelin e detit. Ajo krahinë ka qënë e banuar herët që në lashtësi. Popullsia e saj ka trashëguar virtytet më të mira të punës, sidomos në bujqësi dhe blegtori: shquhet për kulturë, mikpritje, trimëri dhe atdhedashuri. Pozicioni i favorshëm gjeografik krijonte mundësinë e kryqëzimit të rrugëkalimeve të njerëzve dhe karvaneve nga lindja, jugu e perëdimi, nga Përmeti, Korça, Skrapari, Kolonja, Tepelena, Gjirokastra, Berati, Konica, Janina për në Greqi e më gjërë. Zhvillimin më të madh ekonomiko - shoqëror Frashëri e ka pasur në shekujt 17 - 19. Fshati kishte 300 – 400 shtëpi me 22 lagje dhe mbi 20 dyqane, 1500 banorë, 4 faltore, tri shkolla. Frashëri cilësohej qyteti i dytë i Kazasë së Përmetit dhe çdo të martë aty bëhej pazari i madh ku vinin banorë nga të gjithë fshatrat e përreth. Ndikimi i bejtexhinjve qe i fuqishëm sidomos poezitë dhe divanet e Nazim Frakullës, Sulejman Naibit në shek. XVIII, kultura e Beratit pati ndikimin e saj. Tahir Skënderasi me gjyshin e Avdyl Frashërit njohën kulturën e Lindjes në udhëtimet e tyre në Turqi ( Haxhibektash, Iran dhe vende të tjera të shenjta dhe u pajisën me një kulturë të gjërë bektashiane).
Fillimtarët
Tahir Skënderasi në vitin 1815, ngriti teqenë me emër të madh në Frashër. Me punën dhe predikimet e tij ndikoi në përhapjen e bektashizmit në gjithë trevën e Përmetit dhe në zonat përreth si në: rrethet Skrapar, Kolonjë, Tepelenë, Korçë. Ky njeri i ditur që kishte studiuar në Persi shquhej për ide përparimtare dhe çlirimtare. Fara që mbolli do të mbinte me shpejtësi e do të rritej e fuqishme. Mbas vdekjes së tij në vitin 1835 e mori detyrën Jusuf Skënderasi duke e çuar më tej punën e nisur nga Baba Tahiri. Teqeja u bë si një “Klub” dhe rrezatonte në gjithë Dagëllinë dhe Shqipërinë e Jugut. Aty mblidheshin patriotët atdhetarë, në atë jatak, bisedonin e vendosnin bashkërisht se çdo të bënin. Vazhduan drejtimin e teqesë baba Alushi, baba Abedinidhe të tjerët pas tyre.
Ashtu siç e dëshmon historia, gjatë Rilindjes tonë Kombëtare (1830 – 1912), bektashinjtë dhanë ndihmesë të vyer në këtë proçes historik, në të gjithë aspektet e lëvizjes kombëtare, në të gjitha trojet shqiptare: - në kryengritjet kundër reformave centralizuese të Tanzimatit; - në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit; - në luftën për zhvillimin e kulturës e të arsimit kombëtar. Mbështetja e bektashinjve dhe bektashizmit shqiptar, madje shumë prej baballarëve dhe dervishve të teqeve bektashiane, u bënë figurat më të shquara dhe dhanë ndihmesën e tyre të rendësishme si udhëheqës popullorë e shpirtëror të lëvizjes çlirimtare për liri e pavarësi. Sepse ata kishin formim arsimor e kulturor të kohës, në shkollat si Zosimea e Janinës, shkolla të ndryshme në Turqi e vende të tjera perëndimore, zotëronin disa gjuhë të huaja, shfrytëzuan biblotekat e pasura të teqeve. Në to u lëvrua letërsia e bejtexhinjve – krijohen vepra artistike të mirfillta nga ata vetë (baballarët dhe dervishët) si poema, nefeze, gjylbende etj. Gjatë shekullit XIX dualën mjaftë të njohur si: Nazim Berati, Hasan Zyko Kamberi, Zenel Bastari,baba Muharrem Mahzuni, baba Shememi, baba Adem Vexhi, baba Meleq Skrapari (Shëmbërdhenji), baba Salih Matohasanaj, baba Ahmet Turani,baba Selim Elbasani e të tjerë të mëvonshëm. Ata si dijetarë me formim e shpirt kombëtar e kuptonin mirë rolin, vlerat e gjuhës shqipe. Siç e tregoi koha u bënë frymëzuesit, ideatorët për të ardhmen e Shqipërisë gjatë Rilindjes Kombëtare Përpjekjet për ruajtjen dhe lëvrimin e shqipes, motivet shoqërore dhe atdhetare mundën t’i bënin ballë trysnisë pushtuese për shkombëtarizim. Teqetë u bënë shkollat e para ku qarkullonin dorë më dorë abetaret, librat e gazetat shqipe. Ato u bënë strehë të zjarrta për çetat rilindase.
Nasibi Tahir Babai
Nasibi Tahir Babai është një nga klerikët dhe vjershëtorët e mëdhenj bektashinj të shekullit të XIX-të. Dokumenta mbi vjershat dhe biografinë e tij s’kemi në dorë. Vetëm Sami Frashëri për Nasibi Babanë, në enciklopedinë e tij, Volumi 6, faqe 4580, thotë këto: “Nasibi Tahir Babai është një nga udhërrëfenjësit bektashinj. Ka lindur në fshatin tim Frashër. Një kohë shkoi duke vizituar vëndet e shenjta. Dhe kur u kthye, themeloi një teqe në Frashër e cila me kalimin e kohës u - zhvillua dhe sot është një teqe e madhe. Ndroi jetë më 1835 dhe u varros në një tyrbe pranë Teqes së tij, e cila vizitohet sot nga të gjithë. Nasibiu ka shkruar shumë vjersha në gjuhën shqipe. Përveç këtyre ka shkruar edhe gazele në gjuhët turqisht dhe persisht. Kur kthehej në Atdhe, pas vizitavet në vende të shenjta, i takoi rasti të ndalet në qytetin Leskovik, ku dijetarët e kohës, kur u takuan, e muarën në pyetje, për t’i provuar kulturën fetare. Nasibiu këtyre pyetjevet iu pëgjegj me nje vjershë të gjatë (Kaside).” Mjerisht nga këto vjersha, që bën fjalë enciklopedia e Sami Frashërit, s’kemi asnjë në dorë që ta riprodhojmë. Por me këtë rast mund të shtojmë se kjo teqe ka nxjerrë klerikë, gjyshër të zotë, si baba Alushi, baba Abedini, baba Mustafai e të tjerë, të cilët kanë qënë patriotë të shquar dhe kanë luajtur një rol të madh edhe për çështjen shqiptare, aq sa kjo teqe u bë foleja e çdo lëvizje kombëtare.
Dalip Frashëri
Dalip Frashëri është një shkrimtar shqiptar nga familja patriote e njohur Frashëri. Ka marrë dorë në teqenë e Frashërit, ishte dervish bektashi, nxënës i Tahir Skënderasit e kaloi jetën në teqenë e Frashërit dhe të Konicës. Ai ishte i pajisur me ndjenja fetare kombëtare të thella. Ka përkthyer dhe adaptuar librin “Hadika - Suada” (Kopshti i të nderuarvet) të Fuzuliut, 60000 vargje në teqenë e Konicës, kur ishte i internuar, në vitin 1842. Krijimi i tij përmban shumë shtesa në krahasim me orgjinalin që kemi përmendur më lart. Dalip Frashëri ashtu si edhe krijuesit e tjerë bejtexhinj e ka shkruar këtë libër në gjuhën shqipe po me alfabet arab. Është shkruar në të folurën e Frashërit, që nga krijuesit dhe studiuesit e mëvonshëm e folura e Dangëllisë do të vihej në bazë të toskërishtes dhe mbarë shqipes letrare. Ai ndikoi te Naimi që shkroi “Qerbelanë”, pra, hapi rrugën e epopesë në letërsinë tonë artistike. Kjo vepër këndohej në teqenë e Frashërit dhe të tjerat bashkë me “Muhtarnamenë” Biografinë e tij me hollësi nuk e kemi, por dimë që ka jetuar në shekullin e XIX-të. Përveç kësaj vepre, ai ka shkruar edhe shumë vjersha të tjera në gjuhën shqipe.
Paraprirje e dytë për „Qerbelanë“ naimiane
Shahin Kaso Frashëri Ai përktheu nga persishtja „Muhtarnamenë”, një tjetër poemë historiko - doktrinore bektashiane. Është edhe kjo një histori e vjershëruar në formë eposi që këndon edhe ajo një nga ngjarjet e historisë së shenjtë islame, luftën e Qerbelasë, zhvilluar midis përkrahësve të familjes të Aliut dhe atyre që përkrahën familjen e Jezitit. Titullin e kësaj vepre në vargje i është vënë në kushtim të personazhit të kësaj poeme, Myhtarit, një nga heronjtë e kësaj lufte. Është rreth 12000 vargje e gjatë.Shahini vëllai i vogël i Dalip Frashërit, e mbaroi këtë vepër më 1868. Orgjinali i këtij eposi ishte persisht, por shqipëruesi e përshtati nga poema e përkthyer në osmanisht. Edhe kjo vepër ka të njëtën vlerë si eposi fetar i Dalipit, dhe ndikoi mbi Naimin, i dha atij idenë të shkruajë një vepër analoge, eposin fetar “Qerbelanë” ku ai thjeshtoi shumë mite e legjenda e njëkohësisht shkroi me një shqipe të qëruar nga orientalizmat.
Një tjetër „Qerbela“, labi baba Salih Matohasanaj
Një nga qendrat më të rëndësishme në Shqipëri në misionin fetar dhe atë atdhetar në vitet 1815-1950. Roli i rëndësishëm atdhetar në bashkëpunim me vëllezërit Frashëri, (Abdyli, Naimi, Samiu) 1870-1900. Zhvillohet Kuvendi i parë në teqenë e Frashërit për përgatitjen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në maj 1878 të vitit nën drejtimin e Baba Alushit dhe Avdyl Frashërit. Në shpërndarjen e librave shqip dhe literaturës bektashiane në vitet 1880-1910 nën drejtimin e Baba Alushit dhe Baba Abedinit. Në hapjen e shkollave dhe mbrojtjen e gjuhës shqipe, Përmet, Skrapar, Kolonjë. 1908-1910. Pjesëmarrja e baballarëve dhe dervishëve të saj në radhët e çetave patriotike që luftuan herokisht kundër pushtuesve osmanë në luftën për liri dhe pavarësinë e vendit në vitet 1905-1912. Gjyshatë në vitin 1933. Qendër e zonës së Përmetit në vitin 1942. Qendra e zonës së Vlorës në vitin 1945 Gjyshatë Nderi, 1962.
Klerikët që kanë shërbyer në këtë teqe
Baba Tahir Nasibi Skënderasi 1815 - 1835 Jusuf Skënderasi 1835 - 1846 Baba Alushi 1846 - 1902 Baba Abedini Ibro 1903 - 1913 Baba Sheme 1913 - 1929 Baba Mustafa Qerezi 1930 - 1933 Baba Murati 1934 -1941 Baba Abaz Hilmi 1942 – 1945 Baba Mehmet Zykaj 1945 –1959 Baba 1960 - 1967 Dervish Xhemal Shkëmbi 2000 - 2003 Kujdestar Përparim Skënderasi 1995 - Kujdestar i zonës së Përmetit Ndërtimi dhe rindërtimi i kësaj teqeje
Themelimi nga Baba Nasibi Skënderasi. - 1815 Djegur nga andartët grekë. - 1914 Rindërtimi me ndihmën e shqiptarëve të Amerikës. - 1923 U mbyll dhe u shkatërruan tyrbet, ndalimi i fesë nga shteti. - 1967 U rihap dhe u ngritën tyrbet. - 1995
Baba Alushi: Frymëzonjësi i Shpëtimtarëve të kombit
Baba Alushi ishte i biri i Dalip Kaso Frashërit, me një kulturë të gjërë, ai e ktheu teqenë në një vatër fetare, kulturore dhe atdhetare jo vetëm në Dangëlli por në gjithë Shqipërinë e Jugut e më gjërë. Si përhapës i idesë kombëtare, e bëri teqenë e Frashërit në gjysmën e dytë të shekullit 19 një qendër të shquar të lëvizjes kombëtare. Bashkë me Abdyl Frashërin ishin nismëtarë për organizimin e mbledhjeve ndërkrahinore në Frashër në vitet e stuhishme të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Baba Alushi vuri në dispozicion të Lidhjes një shumë të madhe të hollash. Është një figurë që për më tepër se gjysëm shekulli luajti një rol politik më rëndësi në jetën e Dangëllisë. Teqeja e Frashërit u bë shkolla e parë e vëllezërve Frashëri dhe baba Alushi, u bë babai i tyre i dytë, sepse pasi vdiq Halid Frashëri, Baba Alushi u interesua për së afërmi për edukimin arsimor e kulturor të tyre. Baba Alushi ishte ai që e këshilloi Abdylin për të çuar, Naimin e Samiun, në shkollë që të pajiseshin me kulturë. Dëgjonte Naimin dhe Samiun që i këndonin historinë botërore dhe i këshillonte: “Kur të vini në Zosimea u thoni profetëve t’u flasin për historinë e Shqipërisë dhe atëherë llafosemi”. Pas një viti të dy vëllezërit ia plotësuan këtë kërkesë. Ja çfarë shkruan Gjysh Ali Gjirokastra në shkrimin e tij të vitit 1946, botuar në librin “Naimit”, Tiranë, 2000. ...”Kur vdiq i ati, kujdestar i Naimit dhe vëllezërve të tjerë u bë vëllai i tyre më i madh, Avdyli. Asi kohe në teqenë e Frashërit pasndenjës ka qënë baba Alushi i dëgjuar. Pak ditë pas vdekjes së t’et, Avdyli u nddth në teqe, pranë baba Alushit, midis të cilëve rrodhi ky bisedim: “Baba Alushi - E, or Dule, ç’ke menduar për tët’ vëllezër dhe motra që të mbetnë tashti përsipër? Avdyli - Unë mendoj të bënj si është më mirë për ta, por unë më përpara kam nevojë për uratën dhe këshillat tuaja. Baba Alushi - ju mor bir kini përpara një voli të madhe që mund të mbeti me emër të pavdekur. E shihini “Hadika”- n e Fuzuliut q’e ka përkthyer nga turqishtja në shqipe, im atë ( Dalip Frashëri)? Sa do që kjo libër është sot për sot e pashtruar nga fjalët arabishte dhe persishte, prapë kur këndohej nëpër teqera gjatë dhjetë ditëve të Matemit, e bën popullin të mallëngjehet, sepse populli nga kjo libër ngjarjen e Qerbelasë e dëgjon në gjuhën e tija dhe e kupton. Mua mor Dule sa do që më zuri pleqërija, më vjen të fluturonj me krahë kur kujtonj se gjuha shqipe, më e pasur në zënore dhe më e tingëllueshme në gjuhëra të tjera, mund të ketë shpejt apo vonë librat me shkronjat e saja të posaçme. Është një gjuhë që ka shtatë zënore (a, e, ë, i, o, u, y) kurse shumë gjuhë të tjera që njohim kanë të shumtën deri pesë zënore; është një gjuhë e pasur edhe nga fjalët, por kjo pasuri sot për sot është e fshehur si një thesar i mbuluar në truall. Abdyli - O i shenjtë baba, un’ përfytyronja si të bënj për Naimin dhe Saminë, e shenjtëria juaj më futët në ca thellësira që më hutuan. Baba Alushi – Ja këtu qëndron e tërë çështja, biro. Ti me të shpejtë mblidhi gjithë ç’ke; dhe shpjerë tët’ vëllezër në gjimnazin e Janinës, nga do të dalin shumë të mësuar. Por tët’ vëllezër ti i ke në qafë: kur të dalin nga shkolla, t’u kujtosh të ngjallin librin e gjuhës fjeshtë shqipe, që kësi mënyre të zgjuhet e të ngjallet populli shqiptar. Sa do që u installuan familjarisht në Janinë, Naimi shpirti dhe mëndja i qëndronte tek baba Alushi, dhe prandaj kohën e pushimeve e kalonte në teqenë e Frashërit. Kjo teqe në kohën e baba Alushit, ka qënë një kënd kulturor. Këtu të shumtën e kohëve, bisedimet kalonin me Shahnamenë e Firdevsiut të Persisë, me Hadikanë e Fuzuliut të Bagdatit, me Rubairat e Kajamit, me vjershat shqipe (ahere me shkronja arabishte) të Nezim Beratit dhe baba Muharrem Durballisë me shokë. Naimi duke jetuar në të tilla sfera letrare ka qënë frymëzuar nga tre volumet e mëdhenj të Hadikasë, q’e kishte përkthyer nga turqishtja në shqipe, me shkronja arabishte, sepse deri ahere nuk kishin dalë në shesh shkronjat e posaçme të kësaj gjuhe, - Dalip Frashëri para vitit 1845.
Populli nga respekti që kishte për këtë figurë atdhetare, që u shqua si klerik dhe patriot në shkallë kombëtare, i ka ngritur këngë:
“Kush do Shqipërinë, kush? I miri baba Alush. Nukë vdiq, po shkoi dhe rron. Dhe së largu na vështron. ( korsive) Na vështron e na thërret. Punoni për Mëmëdhet. Cili është bektashi. (korsive) Të punojë për Shqipëri. Të këndojë gjuhën e tija. Të heq’ dorë nga Mavija!”
Këtë këngë e kërcenin labçe edhe Petro Nini Luarasi e Çerçiz Topulli, me shokë. Si dhe në fshatrat Qeshibes, Kakos, Malind e Sevran, në gjithë Skraparin.
Në një këngë tjetër: Baba Alushi me shënjtëri. Avdyl Frashëri me dituri, ( korsive) Luftojnë për Shqipëri.
Teqeja e Frashërit u bë simbol, flakë e ndezur e luftës për liri e pavarësi kombëtare, një monument i gjallë i historisë. Baba Alushi së bashku me Avdyl Frashërin organizuan mbledhjen ndërkrahinore në 30 maj të vitit 1878, për çështjen shqiptare kundër coptimit të Shqipërisë nga shtetet fqinjë. Në këtë mbledhje u hartua platforma me tre projekte të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit si: mbrojtja e tërësisë tokësore të Shqipërisë, shpallja e gjithë vilajeteve në një autonomi më vete dhe zhvillimi arsimor e kulturor i saj.
Kuvendi i Nderit
Më 10 qershor 1878, në qytetin e Prizrenit, Kuvendi me përfaqësuesit nga të katër vilajetet (Avdyl Frashëri, baba Hysen Mali...) shpallën pavarësinë dhe lirinë e një Shqipërie demokratike, Ajo vendosi qëllimet e veta për gjithë popullin shqiptar të katër vilajeteve, Shkodrës, Shkupit, Manastirit dhe Janinës. Thelbi i thirrjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ishte paprekshmëria e viseve shqiptare dhe bashkimi i tyre në një të vetme. Teqetë në Rilindjen Kombëtare u shdërruan ne çerdhe të lëvizjes për arsimin dhe gjuhën shqipe. Kjo u duk qartë në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, në organizimin e qendresës për mbrojtjen e trojeve dhe të drejtave të kombësisë shqiptare. Ka hyrë në histori teqeja e Frashërit, ku nën drejtimin e Baba Alushit u bë akti historik për projektimin e autonomisë së Shqipërisë. Në këtë mbledhje ka marrë pjesë edhe Naim Frashëri, i cili punote në doganën e Sarandës; ai organizoi dhe drejtoi degët e Lidhjes, në Sarandë, Janinë e rrethinat e Çamërisë. Dokumentacioni francez i kohës e konsideron Naimin një veprimtar të rëndësishëm të lëvizjes shqiptare në Jug të vendit. Naimi i kushtohet arsimit kombëtar, siç thoshte ai se: “ati i qytetërimit është liria dhe ati i lirisë është arsimi”. Këtë moto lapidare të tij e përqafuan baballarët e teqeve si baba Alushi, baba Fetahu, dervish Iliazi, baba Meleq Saravecka, baba Abedini, baba Selimi, baba Ibrahim Shkëmbi, baba Hajdari, baba Jashari, Ahmet Turani, Hysen Melçani etj. Motivet e atdheut dhe të atdhedashurisë janë të qarta si drita e diellit në veprën e tij. Qëllimi i tij ishte të formonte vetëdijen kombëtare te shqiptarët edhe sikur të digjej si qiriri. Tek bektashizmi gjeti rrugën më të ndritshme e më të efekshme për të mëshiruar idealet e tij kombëtare dhe njerëzore. Ai i dha bektashizmit fytyrë shqiptare. Ai i dha bektashizmit fytyrë shqiptare.“Me pushkë dhe penë për Mëmëdhenë” - kjo u bë motoja e lëvizjes Samiu punoi në Stamboll dhe bëri gjithçka për Lidhjen e Prizrenit me shkrimet e tij, për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve.
|